| |
10 Qershor 2008
Bashkimi Europian i ka dorëzuar qeverisë shqiptare “Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave”, që përmban objektiva specifike për t’u përmbushur nga kjo qeveri. Nisur nga ky dokument “Lëvizja Europiane në Shqipëri”, mbështetur nga fondacioni “Soros” dhe donatorë të tjerë prezantuan projektin rajonal: “Është vërtet e rëndësishme? Lehtësimi i vizave në Ballkanin Perëndimor”. Prezantimi i këtij projekti u bë njëkohësisht në Bruksel, Sarajevë, Shkup, Podgoricë dhe në Beograd.
Organizatorët deklaruan se do të bëjnë monitorimin e problematikës që hasin qytetarët nëpërmjet telefonit dhe e-mail-it. Një linjë telefonike do të jetë në shërbim të aplikantëve për viza “Shengen” në mënyrë që ata të konsultohen, të japin shqetësimet e tyre dhe të mësojnë më shumë për procedurat e lëvizjes së lirë. Linja telefonike 04-2253184 (nga ora 10.00 - 14.00) dhe adresa e emailit info@em-al.org do t’u shërbejë jo vetëm individëve, studentëve apo akademikëve, por edhe organizatave të tilla si agjenci udhëtimi, klube sportive, shoqata artistike apo komunitetit të biznesit.
Një grupi intervistuesish do të lehtësojnë plotësimin e një formulari të detajuar nga aplikantët shqiptarë në konsullatat e Gjermanisë, Italisë, Greqisë, Francës dhe Austrisë. Për të analizuar të dhënat që do të dalin nga linja telefonike dhe sondazhi, do të publikohet në kryeqytetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në Bruksel një raport përfundimtar, i cili do t’u paraqitet vendim-marrësve europianë. Realizimi i këtij projekti do të mbledhë së bashku grupe të ndryshme interesi, si përfaqësues të botës akademike, gazetarë, përfaqësues të organizatave jofitmprurëse, të komunitetit të biznesit, studentë etj. |
|