13 mars 2008
Ekspertë të zgjedhur nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Qendra për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve (QZHDI), për një periudhë gjashtë mujore, punuan së bashku në përgatitjen e një numri ndryshimesh të ligjit nr. 8503, datë 30.6.1999 "Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare". Këto ndryshime janë në përputhje me standartet më të avancuara të legjislacionit europian e më gjerë.
Drafti final erdhi si produkt i një serie diskutimesh në gjashtë takime të hapura publike me përfaqësues të administratës publike, të deputetëve të Kuvendit, të grupeve të interesit, të medias dhe shoqërisë civile, çka ka siguruar edhe një mbështetje të tyre.
Lobimi i projektligjit ka qenë një moment tjetër i rëndësishëm, i cili u realizua me takime individuale dhe të përbashkëta me deputetë të të gjitha krahëve politikë, me përfaqësues të komisionit parlamentar të informimit dhe medias, me kryetarë grupesh parlamentare si dhe me ministrin e Drejtësisë. Nje grup deputetesh nga maxhoranca dhe opozita do te ndermarrin iniciativën që projektligji të hyjë në axhendën e Parlamentit.
|