| |
13 Qershor 2008
Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë – Soros (OSFA), në bashkëpunim me grup ekspertësh të ekonomisë, Adriana Berberi, Gjergj Teneqexhiu, Selim Belortaja, Eduart Prodani, Olta Milova dhe Arieta Abazi, zhvilluan një konferencë shtypi ku u bë prezantimi i raportit të dytë i projektit “Monitorimi i buxhetit të shtetit 2008”. Ky projekt ka nisur në janar 2008 dhe do të përfundojë në prill të vitit 2009. Qëllimi i tij është bërja publike e efektivitetit të përdorimit të fondeve.
Raporti i dytë prezantoi realizimin e buxhetit të shtetit sipas ministrive dhe sektorëve prioritarë për katër mujorin e parë të vitit 2008. Sipas të dhënave të raportit vihet re një nivel i ulët në investimet publike. Kështu, në 4 muajt e parë Ministria e Punëve Publike ka arritur të kryejë vetem 13.6 për qind të investimeve vjetore me fonde të brendshme dhe 10.9 për qind të atyre me fonde të huaja, Ministria e Arsimit ka kryer 2.1 për qind të investimeve me financim nga jashtë dhe 3.3 për qind të atyre që financohen nga buxheti i shtetit. Me tregues negativë në realizimin e investimeve paraqiten gjithashtu edhe Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta si dhe Ministria e Shëndetësisë.
Pjesë të raportit janë gjithashtu analizat e zhvillimeve makroekonomike të 4- mujorit të parë dhe rrisqet që kërcënojnë zhvillimet e këtij viti, analiza e realizimit të treguesve fiskalë dhe problematika e realizimeve apo mos realizimeve përkatëse.
Raporti i dytë për monitorimin e buxhetit të shtetit në katër mujorin e parë të vitit 2008 gjeti pasqyrim të gjerë në kanalet televizive shqiptare, në shtypin e përditshëm si dhe iu vu në dispozicion qeverisë shqiptare, ministrive përgjegjëse, organizatave joftimprurëse dhe organizatave ndërkombëtare.
Kliko këtu për të lexuar të plotë raportin e dytë. |
|