|
16 mars, 2007
Instituti Europian i Tiranës, në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare dhe me mbështetje të Fondacionit Soros, prezantuan më 16 mars :
Rezultatet e monitotimit të zbatimit të Planit Kombëtar të Veprimit për Migracionin dhe Strategjisë Kombëtare për Migracionin.
Në kushtet kur në çdo tre qytatarë shqiptarë njëri është emigrant, përballja me dukurinë e migracionit përbën një nga sfidat e mëdha për shoqërinë dhe shtetin shqiptar. Gjatë vitit 2004, Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë ka ndërmarrë hartimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Migracionin, dokument i financuar nga Komisioni Europian ( Programi CARDS 2001 ) dhe bashkëfinancim e asistencë teknike nga Organizata Ndërkombëtare e Migrimit (IOM). Ky dokument strategjik synon të japë zgjidhje afatgjata për çështje të shumta të dukurisë së Migrimit si: Lufta kundër migracionit të paligjshëm; Emigracioni dhe zhvillimi i Shqipërisë; Përmirësimi i imazhit të emigrantëve shqiptarë jashtë vendit;Përmirësimi i shërbimeve konsullore dhe diplomatike shqiptare,; Mbrojtja e të drejtave të emigrantëve shqiptarë, etj.
Monitorimi i zbatimit të Strategjisë u bë publik gjatë një konference për shtyp ku u prezantua Raporti i Monitorimit nga ana e ekspertëve të Institutit Europian të Tiranës, në bashkëpunim me përfaqësuesit e Ministrive dhe Institucioneve të tjera të Shtetit Shqiptar.
Gjatë konferencës u deklarua se Strategjia Kombëtare e Migracionit, nuk është një dokument statik, por dinamik, dhe ka nevojë për një monitorim të vazhdueshëm. U kërkua që: Qeveria shqiptare të mbajë një qendrim të qartë lidhur me të ardhmen e zbatimit të Strategjisë; të merren masa për një funksionim të rregullt institucional, të fuqizohen kapacitetet njerëzore dhe financiare; si dhe të nxitet më tej bashkpunimi me organizmat dhe institucionet ndërkombëtare, shoqërinë civile etj.
Ndër të dhënat statistikore të raportit përmendim:
- Nga 15 ministri dhe institute shtetërorë të përfshirë në zbatimin e Strategjisë dhe planit të veprimit, 8 prej tyre nuk kishin dijeni për ekzistencën e këtyre dokumentave strategjike.
- Nga 63 masa që duheshin zbatuar ose filluar gjatë vitit 2006:
vetëm 16 masa janë zbatuar, pra 26% e tyre.
33 masa nuk janë zbatuar, pra 53% e tyre.
- Në vëllimin e aktivitevete të parashikuara për zbatimin e këtyre masave:
vetëm 33 aktivitete javë zbatuar, pra 28% e tyre.
76 aktivitete nuk janë zbatuar, pra 64% e tyre.
Klikoni këtu për Raportin mbi zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Migracionin
|