| |
20 korrik 2007
Shoqata e Botuesve Shqiptarë, (SHBSH) Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut”, (GSHDNJ) me mbështetjen e fondacionit Soros organizuan një tryezë debati rreth ligjeve “Për librin në Republikën e Shqipërisë”, “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të” si dhe për disa aktet nënligjore në lidhje me to që janë miratuar ose janë paraqitur për miratim.
Emra të rëndësishëm të jetës publike, mes të cilëve deputetë nga grupet parlamentare të PD-së, PS-së, LSI-së, ish Presidenti i Republikës Rexhep Meidani, kryetarja e komisionit parlamentar të medias, drejtori i Institutit të Dialogut e Komunikimit, juristë të njohur, publicistë, përkthyes vendas dhe të huaj, iu bashkuan shqetësimit të botuesve dhe krijuesve ndaj disa shfaqjeve autoritare që karakterizon politikat aktuale të Ministrisë së Kulturës.
Organizatorët vërejnë me shqetësim një sërë vendimesh dhe veprimesh të rrezikshme centralizuese, duke krijuar për këtë qëllim dhe struktura të stërmëdha burokratike, të cilat synojnë kontroll të rreptë shtetëror mbi botimet shqiptare. Shprehjet më tipike të këtij autoritarizmi shfaqen në disa nene të ligjit nr.9616 “Për librin në Republikën e Shqipërisë”, ku dhënia e së drejtës për të botuar i kalohet si kompetencë eksluzive Ministrit të Kulturës.
Nisur nga këto shqetësime, Shoqata e Botuesve te Shqipërisë dhe Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut propozojnë amendimin e disa neneve të ligjeve për librin dhe për të drejtën e autorit, të cilat jo vetëm bien ndesh me të drejtat kushtetuese për sipërmarrjen e lirë, për lirinë e botimit dhe të shprehjes, por edhe që dëmtojnë rëndë komunitetin botues. |
|