| 28 Mars 2007
Forumi i Mendimit të Lire, i mbështetur nga fondacioni “Soros” dhe AMC, organizuan më 28 mars koferencën kombëtare kundër dukurisë së gjakmarrjes në vend, me temë: “Së bashku kundër gjakmarrjes”.
Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar prezantoi të dhëna shqetësuese mbi gjakmarrjen. Sipas tij në Shqipëri janë prekur 1376 familje në 23 rrethe, të ndara në 746 fshatra dhe 17 qytete. Numri i fëmijëve të prekur është 711 vetë, duke përfshirë moshën nga 1 deri në 18 vjeç.
Pjesëmarrësit në konferencë e konsideruan ligjin aktual si një ligj deklarativ më tepër se veprues. Gjithashtu ata vërejnë se Këshilli koordinues, i përbërë nga drejtues kryesorë të shtetit është mbledhur vetëm një herë, ndërsa sekretariati i tij nuk është krijuar ende. Për të dalë nga kjo situatë, organizatorët kanë hartuar dhe propozojnë për shqyrtim parlamentar një projektligj të ri: “Për organizimin dhe funksionimin e komitetit për parandalimin dhe luftimin e gjakmarrjes”. Ata rekomandojnë ngritjen e një strukture të përhershme qendrore, të mbështetur me struktuara të tjera në nivele qarku. Kjo do të merrte përsipër të hartonte një plan strategjik afatgjatë për të luftuar gjakmarrjen si dhe për ta parandaluar atë në të ardhmen.
|