| |
6 maj 2008
Specialistë nga Ministria e Arsimit, komuniteti i mësuesve, sindikatat, pushteti lokal si dhe përfaqësues të nxënësve dhe të prindërve zhvilluan tryezën e rrumbullaktë për rritjen e transparencës në arsimin parauniversitar dhe promovuan kodin etik të mësuesit në kuadër të një projekti të fondacionit “Soros”.
Buxheti i arsimit përfaqëson komponentin më të madh të shpenzimeve publike në Shqipëri ku shumë veprime financiare kryhen pa transparencë dhe vendimmarrja përjashton grupet e interesit: mësuesit, nxënësit dhe prindërit. Për këtë shkak korrupsioni në arsim shfaqet si në abuzimin me tenderat për rehabilitimin e shkollave, dhënien e licensave, ashtu edhe në favorizim emërimesh të mësuesve e drejtuesve, shitjen e tezave, blerjen e notave, mësimdhënien private me nxënësit mbasditeve etj.
Gjate zbatimi te projektit vemendja u fokusua në veprimtarinë e Ministrisë së Arsimit, të disa drejtorive arsimore duke përfshirë edhe 50 shkolla, veçanërisht ato të zonës suburbane. Tryeza propozoi një sërë rekomandimesh për ngushtimin e hapësirave korruptive si dhe paraqiti një draft të kodit të etikës së mësuesit, i cili do t’i nënshtrohet një diskutimi masiv dhe në të ardhmen do të gjejë zbatim në të gjithë sistemin arsimor parauniversitar. |
|