|
Njoftim mbi Fondin e Emergjencës dhe thirrje për projekt-ide
George Soros, themelues dhe Kryetar Bordi i rrjetit të Instituteve për Shoqërinë e Hapur, ka krijuar para disa muajsh një Fond Emergjence për të mbështetur grupet dhe shoqëritë e ndikuara nga kriza financiare dhe ekonomike botërore në rajonin e Europës Lindore dhe vendet e ish-Bashkimit Sovietik. Ky Fond do të veprojë gjatë dy viteve të ardhshëm (2010 dhe 2011) dhe do të mbështesë nisma që synojnë lehtësimin e pasojave të krizës.
Synimi i Fondit të Emergjencës
Fondi është krijuar për të mbështetur projekte që ndihmojnë grupet apo shtresat më të goditura nga kriza. Vëmendje e veçantë i kushtohet projekteve që përqëndrohen tek grupet në nevojë (këto grupe përfshijnë, por nuk kufizohen në të moshuarit, persona që kanë humbur vendin e punës si pasojë e krizës, njerëzit me aftësi të kufizuara, viktimat e dhunës, të varfërit, fëmijët e rrugës, etj.), por paralelisht mirëpriten nisma që synojnë fuqizimin e vlerave të shoqërisë së hapur mes grupeve më të gjera të shoqërisë si klasa e mesme. Vlen të theksohet që ndër qëllimet e rëndësishme të Fondit është forcimi i solidaritetit social mes grupeve të shoqërisë.
Shembuj të projekt-ideve që mund të mbështeten si pjesë e Fondit janë:
- projekte që zgjerojnë mundësitë për arsim dhe kujdes shëndetësor për pjestarët e grupeve në nevojë;
- aftësim profesional dhe ndihmesa të tjera për ata që kanë humbur vendin e punës për shkak të krizës ekonomike;
- ndihmë për individët që të sigurojnë përfitimet apo shërbimet që u takojnë sipas ligjeve në fuqi;
- projekte që adresojnë nevojat e grave, të rinjve, minoriteteve etnike apo atyre seksuale në përballje me kushte të përkeqësuara si pasojë e krizës;
- projekte që mbështesin institucione apo veprimtari kulturore që u është pakësuar mbështetja si pasojë e krizës ekonomike.
Lista e mësipërme nuk është gjithëpërfshirëse dhe çdo ide do të shqyrtohet në bazë të meritave përkatëse. Duke qënë se qëllimi i Fondit është të sigurojë përgjigje të shpejta ndaj një situtate problematike, do t’u jepet përparësi atyre projekt-ideve që nuk kërkojnë një periudhë të gjatë parapërgatitore apo hulumtuese, por që ofrojnë një ndërhyrje strategjike dhe të përqëndruar.
Projekt-idetë
Çdo projekt-ide duhet të përmbajë informacionet e mëposhtme:
- një përshkrim të problemit që synohet t’i jepet zgjidhje dhe i grupeve, nevojat e të cilave do të adresohen me këtë ndërhyrje;
- si lidhet ky problem me krizën ekonomike të viteve të fundit në Shqipëri dhe në botë;
- synimin dhe rezultatet e pritshme të projektit;
- kohëzgjatja e projektit dhe rajonet/zonat, në të cilat do të zbatohet;
- buxhetin e kërkuar për të mbështetur veprimtaritë e propozuara;
- informacion mbi burime të tjera financiare për të zbatuar projektin
- një vlerësim të qëndrueshmërisë së rezultateve pas përfundimit të projektit;
- informacion mbi organizatën/institucionin që paraqet projekt-idenë.
Projekt-idetë nuk duhet të jenë më të gjata se 4 faqe dhe duhet të paraqiten në shqip. Në rast përzgjedhje, projekt-propozimet do të duhet të paraqiten në anglisht. Ju lutemi, dërgojini në adresën ltako@osfa.soros.al me titullin “Fondi i Emergjencës” të ndjekur nga emri i organizatës/institucionit aplikues.
Projekt-idetë do të pranohen çdo 2 muaj në datat 31 mars, 31 maj, 31 korrik, 30 shtator dhe 30 nëntor 2010.
Për çdo pyetje apo informacion të mëtejshëm në lidhje me Fondin e Emergjencës ju lutemi lidhuni me koordinatorin e Fondit të Emergjencës, Llukan Tako, në adresën ltako@osfa.soros.al
Faleminderit! |