Thirrje për projekt - propozime në kuadër të reformës së financimit të arsimit të lartë
Sistemi i arsimit të lartë i është nënshtruar ndërhyrjeve të shumta përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, të cilat duket se nuk kanë patur efektin e dëshiruar, për aq kohë sa modeli i financimit të sektorit nuk ka pësuar ndryshime thelbësore. Qeveria e mbështetur dhe nga operatorë të arsimit të lartë, ka hedhur hapat e parë në drejtim të një reforme të thellë të formës së financimit të sektorit për të fuqizuar mekanizmat e tregut në orientimin e sistemit, nxitjen e cilësisë dhe shpërndarjen më të drejtë të burimeve financiare publike. Për këtë është ngritur dhe një grup pune pranë MASH.
Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë, (Fondacioni Soros”) synon të kontribojë në procesin e reformimit të modelit të financimit të arsimit të lartë, nëpërmjet nxitjes së përfshirjes në debat, të grupeve të gjera të shoqërisë, grupeve specifike të interesit dhe ekspertëve të fushës. OSFA fton organizata apo grupe individësh, të paraqesin projekt - propozime, të cilat adresojnë synimet e mëposhtme:
1. Tërheqjen e mendimit të grupeve të interesit dhe atyre të rrezikuara, rreth avantazheve dhe dizavantazheve të modeleve kryesore të financimit të sektorit të arsimit të lartë, me theks të veçantë sigurimin e aksesit dhe të cilësisë.
2. Nxitjen e debatit publik rreth modeleve kryesore të financimit, duke mbajtur në konsideratë shkallën e përshtatshmërisë së tyre me kushtet shqiptare.
3. Nxitjen e komunikimit midis grupeve të interesit, ekspertëve vendorë dhe politikëbërësve, me synim përmbushjen e parimit të vendim-marrjes së informuar.
Kush mund të aplikojë:
a. Organizata me përvojë në fushën e arsimit,
b. Organizata të specializuara në veprimtari kërkimore,
c. Organizata me përvojë në fushën e analizimit dhe krahasimit të politikave,
d. Grup ekspertësh.
Prioritetet e OSFA-s mbi të cilat mbështetet thirrja:
• Forcimi i dialogut civil dhe aksioneve qytetare nëpërmjet stimulimit të debateve publike dhe tërheqjes se vëmendjes së publikut për zhvillimin politik, ekonomik dhe social të vendit si dhe mbështetjes së inisiativave që synojnë të rrisin interesin dhe kultivojnë përgjegjësinë e komunitetit dhe veprimet qytetare.
• Forcimi i vendim-marrjes me pjesëmarrje nëpërmjet fuqizimit të grupeve të interesit.
• Rritja e transparencës për funksione kyçe të qeverisë qendrore dhe vendore, veçanërisht përsa i përket hartimit të buxheteve dhe shpenzimeve publike.
Kohëzgjatja:
Nisma do të shtrihet brenda periudhës Prill -Tetor 2010. Realizimi i aktiviteteve të ndërrmara në kuadër të synimit 1 dhe 2, të shtrihen në periudhën e parë të projektit, Prill-Qershor.
Tema:
Arsimi i Lartë.
Zona e zbatimit të projektit:
Projekti do të shtrihet në të gjitha qarqet e vendit.
Llojet e veprimtarive që mund te mbështeten nga kjo thirrje:
Sondazh, analizë politikash, tryeza diskutimi, fokus - grupe, konferenca, emisione televizive, dëgjesa publike.
Produktet që priten të përftohen:
• Tre modele/përvoja të financimi të sektorit të arsimit të lartë që vlerësohen si të përshtatshme për rrethanat e Shqipërisë.
• Një raport që paraqet në mënyrë të strukturuar rekomandimet te grupeve të gjera dhe atyre të rrezikuara rreth përparësive dhe dobësive të tre modeleve të financimit.
• Një raport që pasqyron prezantimin dhe diskutimin e produkteve të mësipërme me politikëbërës, me synim përftimin e një reforme që merr në konsideratë interesat e gjera të shoqërisë dhe mendimin e ekspertizës vendase. Raporti do të duhet të pasqyrojë edhe shkallën e reflektimit të rekomandimeve në tekstin e projekt ligjit që do të përgatitet nga qeveria.
Ku dhe si mund të dërgohet aplikimi:
Formulari i aplikimit mund të tërhiqet pranë mjediseve të Fondacionit “Soros” në adresën: Rr."Qemal Stafa", Pallati 120/2, Tiranë, Shqipëri, ose në faqen elektronike: www.soros.al.
Kliko këtu për të shkarkuar formularin e aplikimit.
Për pyetje apo paqartësi, lidhur me procesin e aplikimit apo thirrjen, mund të kontaktoni me kordinatorin e Arsimit, z. Dritan Nelaj në adresën:dnelaj@osfa.soros.al ose në nr. e tel: 2234621/2235856
Dorëzimi i projekt - propozimeve bëhet në mjediset e Fondacionit “Soros” në adresën e mësipërme.
Afati kohor për pranimin e aplikimeve:
2 Prill 2010.
|